LicencaNjoftime

NJOFTIM PËR KANDIDATËT APLIKANTË PËR PROVIMIN E SHTETIT NË PROFILET E MËSUESISË

Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit në profesionin e rregulluar të Mësuesit, ju bëjmë me dije sa më poshtë:

Provimi i shtetit do të zhvillohet gjatë periudhës Prill – Maj 2023, në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore me adresë: Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 23, Tiranë (ish-ATSH).

Kalendari dhe listat emërore me oraret përkatëse për çdo kandidat, do të publikohen në ditët në vijim në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore www.qsha.gov.al.

  • Kandidati duhet të paraqitet 30 minuta përpara orarit të publikuar dhe të jetë i pajisur me:
  • Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal);
  • Kopje të Kartës ID ose Pasaportës;
  • Faturën origjinale të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA, http://qsha.gov.al/DPSH/fatura.html). Vëmendje: fatura duhet të ketë vulën e bankës përkatëse;
  • Kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara; vërtetimin për njohjen dhe njehsimin e diplomës në rastet kur studimet janë përfunduar jashtë shtetit; dokumentacionin e lëshuar nga institucioni përgjegjës për arkivat që provon lëshimin e diplomës apo dokumentit të barasvlershëm me të, në rastet kur studimet janë përfunduar në një institucion të arsimit të lartë të mbyllur.

Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet të pajiset nga universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet që ai/ajo:

  • ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim dhe është në pritje të kartonit të diplomës. (njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi);
  • emërtesa e plotë dhe lloji i programit të ciklit të dytë të përfunduar;
  • viti i fillimit dhe përfundimit;
  • numri i matrikullimit;
  • data e diplomimit;
  • numri i krediteve të programit të ciklit të dytë të studimit.
  • Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.

Kandidati duhet të mbajë parasysh dhe të zbatojë rregullat e mëposhtme:

  • Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter mos kualifikimi;
  • Ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë gjatë zhvillimit të provimit deri në marrjen e deklaratës së rezultatit;
  • Ndalohet lëvizja përtej vendit të përcaktuar për zhvillimin e provimit;
  • Ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit.

Për të gjithë kandidatët e regjistruar, lutemi të verifikohet paraprakisht emri, mbiemri, profili, si dhe orari i provimit, të publikuar në faqen zyrtare të QSHA www.qsha.gov.al, “Provimet e Shtetit”, rubrika “Njoftime” dhe në rast pasaktësish të drejtohen tek ZVAP përkatëse.

Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit.

Ju urojmë Suksese !